Federata Muaythai e Kosovës, nga 1 deri më 11 shtator, do të organizojë Kampionatin Botëror të Muaythai-t, një nga ngjarjet më të mëdha sportive ndërkombëtare që është mbajtur ndonjëherë në Republikën e Kosovës. Kampionati do të zhvillohet në qytetin e Deçanit dhe pritet të mbledhë përfaqësues nga rreth 100 shtete të botës.
Ky kampionat organizohet nën përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pa mbështetjen e së cilës realizimi i kësaj ngjarjeje historike nuk do të ishte i mundur. Gjithashtu, kampionati mbështetet nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Komuna e Deçanit.
Organizimi i këtij kampionati përbën një moment historik për sportin e Muaythai-t në Kosovë dhe një mundësi të jashtëzakonshme për promovimin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare. Me këtë organizim, Kosova po dëshmon se është e gatshme të mirëpresë dhe të organizojë ngjarje sportive të nivelit më të lartë botëror.
Ky kampionat do të ketë ndikim të rëndësishëm edhe në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, pasi në Kosovë do të vijnë delegacione nga shumë vende të botës, përfshirë edhe shtete që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Përmes sportit dhe organizimeve të tilla ndërkombëtare, Kosova krijon ura të reja bashkëpunimi dhe forcon imazhin e saj në botë.
Për këtë sukses historik, Federata Muaythai e Kosovës shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e saj të sinqertë për:
* Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin e Republikës së Turqisë në Republikën e Kosovës, z. Sabri Tunç Angılı;
* Ambasadorin e Republikës së Kosovës, z. Ruzhdi (Ruzvelt) Frrokaj;
* Ish-Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrullah Çeku;
* Ministrin e tanishëm të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Blerim Gashani;
* Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për lehtësimin e procedurave të vizave për delegacionet e shteteve që kanë nevojë për vizë për hyrje në Republikën e Kosovës;
* Presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Ismet Krasniqi;
* Kryetarin e Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj;
* Nënkryetarin e Komunës së Deçanit, z. Sami Cacaj.
Federata Muaythai e Kosovës do të jetë gjithmonë mirënjohëse ndaj këtyre institucioneve dhe personaliteteve për përkrahjen e vazhdueshme të projekteve madhore sportive dhe historike, të cilat kontribuojnë në zhvillimin e sportit dhe promovimin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Në këtë Kampionat Botëror, Kosova do të përfaqësohet me katër garues, nga të cilët presim paraqitje dinjitoze dhe fitimin e medaljeve të arta, të argjendta dhe të bronzta.
Me respekt,
Shpejtim Ahmetaj
President i Federatës Muaythai të Kosovës