Kosova mirëpret botën e Muaythait – 71 delegacione nga të gjitha kontinentet në Kampionatin Botëror në Deçan
Deçan, Kosovë | 3–11 shtator 2026
Federata e Muaythait e Kosovës njofton mediat, opinionin publik dhe të gjithë sportdashësit se nga 3 deri më 11 shtator 2026, në Deçan, do të zhvillohet Kampionati Botëror i Muaythait për Seniorë, në konkurrencën e meshkujve dhe femrave.
Ky është një nga aktivitetet më të mëdha ndërkombëtare sportive që zhvillohet në Kosovë, me pjesëmarrjen e 71 delegacioneve nga të gjitha kontinentet e botës.
Në Deçan do të mblidhen sportistë, trajnerë, gjyqtarë dhe delegacione nga vende të ndryshme të botës, duke e kthyer Kosovën për disa ditë në qendër të Muaythait botëror.
71 delegacione pjesëmarrëse
Në këtë Kampionat Botëror do të marrin pjesë:
Afganistani, Shqipëria, Algjeria, Armenia, Austria, Azerbajxhani, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kameruni, Kanadaja, Kolumbia, Republika Demokratike e Kongos, Kroacia, Qipro, Çekia, Danimarka, Egjipti, Ekipi i Muaythait për Refugjatë, Estonia, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Guinea, Hungaria, India, Irani, Iraku, Irlanda, Izraeli, Bregu i Fildishtë, Jordania, Kazakistani, Kosova, Libani, Libia, Lituania, Makao, Malajzia, Mauritiusi, Meksika, Moldavia, Mali i Zi, Namibia, Holanda, Zelanda e Re, Nigeria, Norvegjia, Filipinet, Polonia, Rumania, Arabia Saudite, Sllovakia, Sllovenia, Afrika e Jugut, Spanja, Sri Lanka, Sudani, Suedia, Siria, Taxhikistani, Tajlanda, Tunizia, Turqia, Turkmenistani, Ukraina, Emiratet e Bashkuara Arabe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uzbekistani dhe Vietnami.
Një mesazh i fuqishëm përmes sportit
Një veçanti e rëndësishme e këtij Kampionati Botëror është pjesëmarrja e një numri të madh të delegacioneve nga shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Kjo pjesëmarrje dëshmon edhe një herë fuqinë e sportit për të krijuar ura bashkëpunimi dhe për të afruar njerëzit dhe vendet, pavarësisht dallimeve politike.
Për Federatën e Muaythait të Kosovës, fakti që këto delegacione do të udhëtojnë drejt Kosovës dhe do të marrin pjesë në një Kampionat Botëror të organizuar në territorin e Republikës së Kosovës përbën një moment të rëndësishëm sportiv dhe ndërkombëtar.
Nga themelimi në vitin 2018 deri te Kampionati Botëror
Federata e Muaythait e Kosovës është themeluar në fund të vitit 2018 dhe që nga themelimi ka punuar në zhvillimin dhe institucionalizimin e Muaythait në Kosovë, në rritjen e klubeve dhe sportistëve, në pjesëmarrjen ndërkombëtare dhe në organizimin e garave të nivelit të lartë.
Puna e Federatës ka kulmuar me organizimin e tri ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare:
* 2024 – Kampionati Evropian i Muaythait në Prishtinë
* 2025 – Kampionati Ballkanik i Muaythait në Kosovë
* 2026 – Kampionati Botëror i Muaythait në Deçan
Brenda vetëm disa vitesh, Federata e Muaythait e Kosovës ka kaluar nga një federatë e re e themeluar në vitin 2018 në organizatore të një Kampionati Botëror, duke dëshmuar rritjen e vazhdueshme të këtij sporti dhe kapacitetet organizative të Kosovës.
Kosova garon në shtëpi për medalje
Në Kampionatin Botëror, Kosova do të përfaqësohet me katër sportistë, të cilët do të garojnë në kategorinë Senior.
Përfaqësuesit e Kosovës do të kenë përballë sportistë të nivelit më të lartë ndërkombëtar, ndërsa pritjet e Federatës janë që ekipi kosovar të zhvillojë paraqitje dinjitoze dhe të luftojë për medalje në këtë ngjarje të madhe sportive.
Për sportistët tanë, gara në Kosovë para publikut vendas është një motivim i veçantë, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi për të përfaqësuar denjësisht Republikën e Kosovës.
Deçani në qendër të Muaythait botëror
Nga 3 deri më 11 shtator, vëmendja e komunitetit ndërkombëtar të Muaythait do të jetë e përqendruar në Deçan.
Federata e Muaythait e Kosovës u uron mirëseardhje të gjitha delegacioneve pjesëmarrëse dhe shpreh mirënjohjen për institucionet, partnerët, klubet, trajnerët, sportistët, gjyqtarët, vullnetarët dhe të gjithë bashkëpunëtorët që kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti