Falë punës së palodhshme, përkushtimit dhe sukseseve të arritura ndër vite në zhvillimin, promovimin dhe masivizimin e sportit të Muaythai-t në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit, si dhe organizimit të suksesshëm të Kampionateve Botërore, Evropiane dhe Ballkanike në vendin tonë, kam marrë besimin për të udhëhequr edhe Federatën Ballkanike të Muaythai-t (BMU).
Ky është një tjetër sukses i rëndësishëm, jo vetëm për mua personalisht, por edhe për Kosovën dhe sportin e Muaythai-t në vendin tonë.
Një nga arritjet tona më të mëdha ishte sigurimi i së drejtës për organizimin e Kampionatit Botëror të Muaythai-t 2026 në Kosovë, të cilin arritëm ta organizojmë me sukses, duke dëshmuar se vendi ynë ka kapacitetin dhe përkushtimin për të organizuar ngjarje sportive të nivelit më të lartë ndërkombëtar.
Në këtë kampionat historik, Kosova shënoi edhe një sukses të jashtëzakonshëm në arenën sportive botërore, duke fituar një medalje të artë dhe tri medalje të bronzta, përkatësisht një titull të Kampionit të Botës dhe tri vende të treta në botë në sportin e Muaythai-t.
Sot, pas gjithë këtyre arritjeve, për mua është një nder dhe përgjegjësi e veçantë që, krahas detyrës si President i Federatës së Muaythai-t të Kosovës, të marr edhe besimin për të udhëhequr Federatën Ballkanike të Muaythai-t.
Këtë besim e konsideroj një vlerësim të punës sonë të përbashkët dhe të rezultateve që kemi arritur ndër vite.
Ky është edhe një sukses i radhës për Republikën e Kosovës, duke dëshmuar se vendi ynë jo vetëm që është i aftë të organizojë kampionate të mëdha ndërkombëtare dhe të fitojë medalje botërore, por edhe të marrë përgjegjësi udhëheqëse në strukturat sportive rajonale dhe ndërkombëtare.
Do të vazhdoj të punoj me përkushtim për zhvillimin e mëtejshëm të Muaythai-t, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet federatave të Ballkanit dhe ngritjen e sportit tonë në nivele edhe më të larta.
Krenar për Kosovën, krenar për sportistët tanë dhe për gjithçka që kemi arritur së bashku! 

Shpejtim Ahmetaj
President i Federatës së Muaythai-t të Kosovës
