Sot, më 14 maj 2025, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Tajlandë, z. Ruzvelt Frrokaj, vizitoi ekipin e Federatës së MuayThai të Kosovës, i cili po zhvillon përgatitjet e tij në Koh Samui, Tajlandë.
Federata e MuayThai të Kosovës i shpreh mirënjohjen më të thellë z. Ruzvelt Frrokaj për përkujdesjen, mbështetjen dhe përkushtimin e vazhdueshëm që ai ka treguar ndaj ekipit të Kosovës gjatë qëndrimit në Tajlandë.
Duhet theksuar se z. Frrokaj ka qenë një ndër kontribuuesit kryesorë në organizimin e Kampionatit Evropian të MuayThai-t 2024, i cili u mbajt në Kosovë dhe u konsiderua një nga ngjarjet më të mëdha sportive ndërkombëtare të organizuara në vend në vitet e fundit.
Federata e MuayThai të Kosovës shpreh falënderime të veçanta edhe për institucionet që kanë mbështetur vazhdimisht zhvillimin e këtij sporti dhe organizimin e aktiviteteve ndërkombëtare:
- Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku;
- Kryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama;
- Presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, z. Ismet Krasniqi.
Pas suksesit të madh në Kampionatin Evropian 2024, ku Kosova arriti të fitojë medalje të arta, të argjendta dhe të bronzta, MuayThai po vazhdon të shënojë progres të dukshëm dhe të forcojë pozitën e tij në arenën ndërkombëtare.
Federata e MuayThai të Kosovës mbetet e përkushtuar që, përmes punës dhe përgatitjeve profesionale, të arrijë rezultate edhe më të mëdha në të ardhmen, me synimin që në Kampionatin Botëror të sjellë medalje të reja për Kosovën dhe të përfaqësojë denjësisht shtetin tonë në skenën ndërkombëtare.
Me respekt,
z. Shpejtim Ahmetaj
President i Federatës së MuayThai të Kosovës
