Ekipi i Federatës së MuayThai të Kosovës do të qëndrojë në Antalya, Turqi, nga data 21 maj deri më 1 qershor, ku do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të MuayThai-t, një nga ngjarjet më prestigjioze të këtij sporti në nivel global.
Në këtë kampionat pritet të marrin pjesë përfaqësues nga rreth 150 shtete të botës, duke e bërë konkurrencën jashtëzakonisht të fortë dhe sfiduese për të gjithë garuesit.
Ekipi i Kosovës udhëton drejt këtij kampionati më i përgatitur se kurrë më parë, pas një periudhe intensive stërvitjesh dhe përgatitjesh profesionale. Megjithatë, duhet theksuar se garuesit tanë do të përballen me sfida të mëdha, pasi në kategoritë e tyre përkatëse pritet të kenë deri në 25 kundërshtarë, të cilët përfaqësojnë shtetet më të forta në sportin e MuayThai-t.
Pavarësisht konkurrencës së fortë, sportistët tanë janë të motivuar dhe të vendosur për të dhënë maksimumin, duke synuar rezultate sa më të mira dhe përfaqësim dinjitoz të Republikës së Kosovës në arenën botërore.
Bordi i Federatës së MuayThai të Kosovës, i udhëhequr nga Kryetari z. Shpejtim Ahmetaj, u uron të gjithë garuesve shumë suksese në Kampionatin Botëror dhe beson se puna, përkushtimi dhe sakrifica e tyre do të shpërblehen me paraqitje të shkëlqyera.
Me respekt,
Shpejtim Ahmetaj
Kryetar i Federatës së MuayThai të Kosovës
