Sot, më 24 maj 2025, u mbajt ceremonia zyrtare e hapjes së Kampionatit Botëror të MuayThai-t në Antalya, ku po marrin pjesë 150 shtete nga e gjithë bota. Në mesin e tyre, flamuri i Republikës së Kosovës valonte me krenari, duke përfaqësuar denjësisht vendin tonë në një nga ngjarjet më të mëdha sportive ndërkombëtare.

Federata e MuayThai të Kosovës shpreh falënderime të veçanta për TV21, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes dhe do të vazhdojë të përcjellë nga afër aktivitetet e ekipit tonë deri në përfundim të kampionatit. Përmes raportimeve të tyre, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësinë të ndjekin rrugëtimin dhe sfidat e garuesve tanë në këtë garë prestigjioze.

Pas ceremonisë së hapjes, TV21 realizoi një intervistë me Sekretarin e Federatës Botërore të MuayThai-t, z. Stephan Fox, i cili vlerësoi lart progresin dhe paraqitjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare të këtij sporti.

Z. Fox u shpreh veçanërisht i kënaqur me organizimin e Kampionatit Evropian të MuayThai-t në Kosovë gjatë vitit 2024, duke e cilësuar atë si një organizim shumë të suksesshëm. Ai gjithashtu bëri të ditur se Kosova pritet së shpejti të konfirmohet si nikoqire e Kampionatit Botëror të MuayThai-t për vitin 2026, çka do të përbënte një arritje historike për sportin kosovar.

Për organizimin e kësaj ngjarjeje të madhe sportive në Kosovë pritet të mos mungojë mbështetja e institucioneve vendore, veçanërisht e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe e Komitetit Olimpik të Kosovës, të cilat kanë qenë partnerë të rëndësishëm në zhvillimin dhe promovimin e sportit të MuayThai-t në vend.

Federata e MuayThai të Kosovës mbetet e përkushtuar që të vazhdojë përfaqësimin dinjitoz të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare dhe të sjellë ngjarje sportive të nivelit më të lartë në Kosovë.

Me respekt,

Shpejtim Ahmetaj
Kryetar i Federatës së MuayThai të Kosovës

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *