Federata e MuayThai të Kosovës, më 25, 26 dhe 27 korrik 2025, organizon Kupën Ballkanike “Open”, një ngjarje historike për sportin e MuayThai-t në rajon. Për herë të parë në kuadër të MuayThai IFMA në Ballkan, Kosova është zgjedhur nikoqire e këtij aktiviteti prestigjioz ndërkombëtar.
Besimi i dhënë Kosovës nga Federata Ndërkombëtare e MuayThai-t (IFMA) për organizimin e ngjarjeve të tilla vjen si rezultat i vlerësimit të lartë për potencialin dhe profesionalizmin e Federatës së MuayThai të Kosovës, si në aspektin organizativ ashtu edhe për rezultatet e shkëlqyera të arritura nga sportistët tanë në arenën ndërkombëtare.
Sukseset e deritanishme të Federatës së MuayThai të Kosovës nuk kanë ardhur lehtë. Edhe pse e themeluar vetëm gjashtë vite më parë, federata ka arritur të tejkalojë shumë sfida dhe pengesa, duke u shndërruar në një nga federatat më të suksesshme sportive në vend.
Gjatë kësaj periudhe kemi fituar medalje të arta, të argjendta dhe të bronzta në kampionate evropiane, kemi organizuar me sukses Kampionatin Evropian të MuayThai-t dhe tani po organizojmë Kupën Ballkanike “Open”. Kulmi i këtyre arritjeve do të jetë viti 2026, kur Kosova do të jetë nikoqire e Kampionatit Botëror të MuayThai-t, një sukses që me të drejtë mund të cilësohet si historik për sportin dhe shtetin tonë.
Ky organizim u ofron garuesve tanë një mundësi të jashtëzakonshme për të garuar në vendin e tyre dhe për t’u renditur ndër më të mirët në Ballkan në kategoritë përkatëse.
Po ashtu, organizime të këtij niveli ndërkombëtar krijojnë mundësi që sportistë dhe delegacione nga vende të ndryshme të botës të vizitojnë Kosovën, duke kontribuar në promovimin e turizmit, kulturës, historisë dhe vlerave tona kombëtare. Këto ngjarje shërbejnë gjithashtu si një mundësi për të prezantuar para botës mikpritjen, traditat dhe trashëgiminë e pasur kulturore të Kosovës.
Vetëm përmes përkushtimit, vizionit dhe punës së palodhshme do të vazhdojmë ta zhvillojmë sportin e MuayThai-t në Kosovë dhe të sjellim suksese edhe më të mëdha për vendin tonë në të ardhmen.
Me respekt,
Shpejtim Ahmetaj
Kryetar i Federatës së MuayThai të Kosovës
