Garuesit Erdonit Alija dhe Sayed Mosawi e përfunduan garimin e tyre në raundin e dytë të Kampionatit Botëror në Malajzi, pa arritur të vazhdojnë garën për medalje.

Erdonit Alija nuk mundi të vazhdojë garimin për shkak të një lëndimi në këmbë dhe në gishtin e këmbës.

Ndërkohë, Sayed Mosawi, pas një përballjeje të fortë me kundërshtarin nga Tajlanda, Choosak Tidjadee, e humbi ndeshjen si pasojë e një goditjeje të marrë në raundin e dytë. Sipas vlerësimit të ekipit tonë, kjo goditje ishte jashtë rregullave dhe i shkaktoi lëndim garuesit tonë.

Duke pasur parasysh se Sayed Mosawi në kategorinë e tij kishte 20 kundërshtarë dhe duhej të zhvillonte edhe tri ndeshje të tjera për të arritur deri te medalja, vazhdimi i garës ishte i pamundur.

Lëndimi në anën e majtë të brinjëve e bëri të pamundur vazhdimin e garimit, pasi ekzistonte rreziku që të rrezikohej edhe pjesëmarrja e tij në Kampionatin Botëror që do të mbahet në Kosovë nga 1 deri më 11 shtator 2026, i cili do të shërbejë si kualifikues për Lojërat Botërore për seniorë.

Federata e Muaythai-t e Kosovës shpreh falënderimin e saj për Ambasadorin e Republikës së Kosovës, z. Rexhep Bajraktari, i akredituar në Malajzi, i cili ishte i pranishëm dhe në përkrahje të vazhdueshme të garuesve tanë në çdo ndeshje.

Pas rikuperimit nga lëndimet, garuesit e Kosovës do të vazhdojnë me intensitet të shtuar përgatitjet për Kampionatin Botëror për Seniorë, një ngjarje historike që do të organizohet në Kosovë.

Duhet theksuar se sporti i Muaythai-t kërkon përkushtim të madh, përvojë, disiplinë, guxim dhe sakrificë të lartë, ndërsa konkurrenca në nivel ndërkombëtar është jashtëzakonisht e fortë, veçanërisht në kuadër të federatës më të madhe botërore, IFMA Muaythai.

Kosova ka një mundësi historike të organizojë Kampionatin Botëror, prandaj të gjithë të interesuarit që dëshirojnë ta ndjekin nga afër këtë sport dhe të shohin garuesit më të mirë në botë janë të mirëpritur nga 1 deri më 11 shtator 2026 në Pejë.

Me respekt,

Shpejtim Ahmetaj
Kryetar i Federatës së Muaythai-t të Kosovës

Screenshot