Kosova po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një qendër të rëndësishme për organizimin e garave ndërkombëtare në sportin e MuayThai-t.
Pas organizimit me sukses të Kampionatit Evropian të MuayThai-t në vitin 2024 në Prishtinë, si dhe Kupës Ballkanike “Open”, e organizuar gjatë vitit 2025 nga Federata e MuayThai të Kosovës, këto dy ngjarje historike kanë dëshmuar kapacitetin organizativ dhe profesional të federatës sonë, duke i hapur rrugën një arritjeje edhe më të madhe.
Në vitin 2026, Federata e MuayThai të Kosovës, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komitetit Olimpik të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, do të jetë organizatore e Kampionatit Botëror të MuayThai-t.
Ky kampionat pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha sportive ndërkombëtare të organizuara ndonjëherë në Kosovë, duke sjellë në vendin tonë sportistë, trajnerë, zyrtarë dhe delegacione nga e gjithë bota.
Organizimi i Kampionatit Botëror është një dëshmi e qartë e besimit që komuniteti ndërkombëtar i MuayThai-t ka ndaj Kosovës dhe Federatës së MuayThai të Kosovës. Njëkohësisht, kjo ngjarje do të kontribuojë në promovimin e sportit, turizmit, kulturës dhe imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Federata e MuayThai të Kosovës mbetet e përkushtuar që këtë kampionat ta organizojë sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe të vazhdojë të sjellë suksese të reja për sportin dhe shtetin tonë.
Me respekt,
Shpejtim Ahmetaj
President i Federatës së MuayThai të Kosovës
