Federata e MuayThai të Kosovës – Viti 2025

Viti 2025 për Federatën e MuayThai të Kosovës ishte një vit me sfida të mëdha, por njëkohësisht edhe me suksese të jashtëzakonshme, duke shënuar një tjetër kapitull të rëndësishëm në zhvillimin e këtij sporti në vendin tonë.

Më 14 mars 2025, Komuna e Prishtinës e shpalli Kampionatin Evropian të MuayThai-t, të organizuar për herë të parë nga Federata e MuayThai të Kosovës në vitin 2024, si Ngjarjen e Vitit.

Nga 10 deri më 13 prill 2025, Federata e MuayThai të Kosovës mori pjesë në turneun ndërkombëtar FIBO në Gjermani, ku garuesit tanë arritën të fitojnë 3 medalje të arta.

Nga 18 prilli deri më 14 maji, garuesit e Federatës zhvilluan një kamp stërvitor në Tajlandë, ku përfituan njohuri të avancuara teknike dhe profesionale në sportin e MuayThai-t.

Nga 21 maji deri më 1 qershor, Kosova mori pjesë në Kampionatin Botëror në Antalya të Turqisë, ku ishin të pranishme mbi 150 shtete nga e gjithë bota. Edhe pse garuesit tanë nuk arritën të fitojnë medalje, ata fituan përvojë të çmuar ndërkombëtare, e cila do të shërbejë për sukseset e ardhshme.

Më 27 dhe 28 qershor, Federata e MuayThai të Kosovës organizoi seminarin kombëtar për gjyqtarë, me ligjërues z. Gunter Plank, përfaqësues i Federatës Botërore të MuayThai-t.

Nga 7 deri më 18 shtator, Federata mori pjesë në Kampionatin Botëror për të Rinj në Abu Dhabi me një garues. Në këtë kampionat, Kosova arriti një sukses të madh duke fituar vendin e tretë në botë në disiplinën Wai Kru.

Më 3, 4 dhe 5 tetor, Federata e MuayThai të Kosovës organizoi për herë të parë në Prishtinë Kampionatin Ballkanik të MuayThai-t, me pjesëmarrjen e 8 shteteve. Kosova fitoi gjithsej 4 medalje, prej tyre 2 të arta dhe 2 të argjendta.

Më 7 dhe 8 nëntor, përfaqësuesit e Federatës, Halil Kurhasku dhe Filip Nue, morën pjesë në seminarin administrativ të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

Nga 17 deri më 25 nëntor, Federata e MuayThai të Kosovës mori pjesë në Kampionatin Evropian në Athinë, me pjesëmarrjen e 40 shteteve, ku Kosova fitoi medaljen e bronztë, duke u renditur ndër më të mirët në Evropë.

Më 27 dhe 28 nëntor, Federata organizoi turneun ndërkombëtar “Smajl Haradinaj” në Gjakovë, me pjesëmarrjen e 4 shteteve. Në këtë aktivitet, Kosova fitoi 2 medalje të arta, ndërsa njëkohësisht u zhvilluan edhe Kampionati i Kosovës dhe një seminar për trajnerë.

Më 30 nëntor, Federatës së MuayThai të Kosovës iu bashkua edhe një klub i ri në Zvicër, i krijuar me qëllim të afrimit të sportistëve shqiptarë me talent që jetojnë në diasporë dhe përfaqësimit të Kosovës në garat ndërkombëtare.

Si kulm i të gjitha këtyre sukseseve, Federata e MuayThai të Kosovës fitoi të drejtën për të organizuar Kampionatin Botëror të MuayThai-t në vitin 2026, një ngjarje që pritet të jetë ndër më të mëdhatë sportive të organizuara ndonjëherë në Kosovë.

Me këtë rast, Federata e MuayThai të Kosovës, duke u bazuar në të gjitha sukseset e arritura gjatë vitit 2025, u uron të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen një Vit të Ri 2026 të mbarë, me shëndet, suksese dhe mbarësi.

Me respekt,

Shpejtim Ahmetaj
President i Federatës së MuayThai të Kosovës

By admin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *