Sot, më 26 nëntor 2024, shtatë medalistët e Federatës së MuayThai të Kosovës, të cilët fituan medalje në Kampionatin Evropian të organizuar në Prishtinë me pjesëmarrjen e 32 shteteve, u pritën në një takim nga Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama.
Gjatë këtij takimi, z. Rama përgëzoi sportistët për sukseset e tyre dhe i uroi ata për medaljet e fituara, duke vlerësuar arritjet e medalistëve të vendeve të para, të dyta dhe të treta.
Njëkohësisht, ai përgëzoi Kryetarin e Federatës së MuayThai të Kosovës, z. Shpejtim Ahmetaj, për organizimin profesional të Kampionatit Evropian, i cili u zhvillua në Kosovë dhe u vlerësua si një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive të mbajtura në vend.
Nga ana e tij, z. Ahmetaj e falënderoi Kryetarin Rama për mbështetjen e vazhdueshme që Komuna e Prishtinës kishte dhënë për organizimin e këtij eventi madhor, i cili konsiderohet si organizimi më i madh ndërkombëtar në sportin e MuayThai-t të mbajtur ndonjëherë në Kosovë.
Gjatë takimit, Kryetari Rama dhe z. Ahmetaj u dakorduan që Federata e MuayThai të Kosovës të vazhdojë të ketë mbështetjen e Komunës së Prishtinës sa herë që organizon aktivitete dhe ngjarje sportive të këtij niveli.
